Sërish investitorë në Vranjë, Bujanoci e Presheva të "pasuksesshëm"!
Kompania ruse “Orion” gjatë vitit të ardhshëm planifikon që në Vranjë të investojë rreth nëntë milion euro.
Dokumentin rreth planifikimeve lidhur me këtë investim e kanë nënshkruar të enjten në Beograd kryetari i Vranjës Zoran Antiq, përfaqësuesit e kompanisë ruse “Orion” dhe ndërmarrja serbe “Biodom S”, njofton Ok Radio.
Me këtë memorandum parashihet ndërtimi i fabrikës për prodhimin e kaldajave të biomasës në Vranjë.
Është planifikuar që kapaciteti i kësaj fabrike të jetë 12 mijë kaldaja energjetike në vit, ndërsa vlera e përgjithshme e investimit do të jetë 8.368.000 euro
Në këtë fabrikë, sipas paralajmërimeve të tanishme do të punësohen 200 punëtorë.
Për dallim nga Vranja që po sjell investitorë të huaj dhe po hap vende të reja të punës, komunat Bujanoc dhe Preshevë deri më sot nuk kanë arritur asnjë marrëveshje me investitorë nga sektori privat që do të punësonin një numër kaq të madh të punëtorëve.
Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi ka realizuar disa takime me biznesmen të huaj, mirëpo për dallim nga kolegu tij nga komuna fqinje e Vranjës që negociatat me investitorë të huaj po i kthen në investime dhe hapje të vendeve të punës, ato në Bujanoc po mbesin vetëm në takime për marketing në media.
Këto dy komuna Bujanoci e Presheva investimet kryesore i kanë nga buxheti komunal, mjete këto të taksapaguesve të këtij rajoni dhe Republikës së Serbisë, si dhe ato për subvencionime, që gjithashtu vijnë nga ky buxhet dhe ai i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Kjo situatë e rëndë ekonomike me numrin e madh të papunësisë ka qenë njëri prej faktorëve kryesor që ka nxitë shqiptarët e këtij rajoni që të marrin rrugën e migrimit drejt Evropës perëndimore. /Titulli.com/